
Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore në mbledhjen e sotme shqyrtoi draftin me amendime të paraqitur nga ekspertët.
Gjatë deklaratës për shtyp, Rudina Hajdari premton se ndryshimet e reja zgjedhore synojnë të kenë efekt për 30 vitet e ardhshme.
‘’Ky do të jetë një model i pavarur. Aleanca e grave deputete bëri propozimin që pjesëmarrja e grave në parlament të rritet nga 30% në 50%. Megjithatë, ky është thjesht një propozim verbal. Do të jetë javën e ardhshme. Javën e ardhshme do të vijë në komision një propozim i shkruar.
Mbledhja e sotme u përqëndrua te administrata zgjedhore. Eksperetët duan të krijohet një arkitekturë e re për KQZ-në, KZAZ, KQV-në, do të ndryshohen anëtarët dhe struktura. Për mandatet e ndryshme të anëtarëve, do të ketë një seancë të dytë për pyetjet që do të kenë deputetët. Flitet për një administratë të re zgjedhore, dhe kjo nuk duhet të cënojë partitë politike. Duhet t’u kthejmë përgjigje çdo pale të interesuar për këtë draft të ri të ekspertëve. Është një pikënisje e mirë, por jo se kemi arritur konsensus për ngritjen e administratën zgjedhore.
Profesioni i komisionerëvë është i rëndësishëm, nuk do të jenë thjesht nëpunës civilë, por për këtë gjë duhet të ndryshohet ligji i nënëpunësit civil. Një pikë tjetër që u prek nga seanca e sotme ishte përgjegjësia, kompetenca e anëtarëve. Kemi dhe KAS-in, që do të merren me ankimimet. Këta komisionerë do të kenë përgjegjëshmëri shumë të lartë.
Njerëzit e kësaj strukture do të kenë mundësinë të aplikojnë online. Këto ndryshime nuk do të kenë efekt vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por për 30 vitet e ardhshme. Drafti i dytë, i cili është më i rëndësishmi do të shihet javën e ardhshme’’, u shpreh Hajdari.
Hajdari tha se drafti i parë kishte mangësi në mënyrën si ishin implementuar rekomandimet e OSBE-ODIHR.Dhe nëse i gjithë ky proces do të kurorëzohet me ndryshimin e sistemit, kauzë për të cilën Hajdari tha se do të luftojnë, atëherë shqiptarët do të mund të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre në Kuvend.

Nga ana e tij, bashkë-kryetari i Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri ka thënë se tashmë është koha që administrata zgjedhore të depolitizohet, pra komisionerët të mos emërohen më nga partitë politike.
Gjiknuri në fjalën e tij deklaroi se Partia Demokratike është e lire që të sjellë çdo propozim në lidhje me këtë reform.
“Ka ardhur koha për një sistem të depolitizuar. Njerëzit do të marrin pjesë në trajnim më pas do të zgjidhen me short, procesi do të jetë revolucionuar, do të japë rezultate dhe përbën një risi. Sot u përqendruam nga skema e KQZ-së te njësitë e qendrave të votimit. Synimi ka qenë të ndahet administrimi zgjedhor, totalisht e shkëputur nga partitë dhe rregullat. Mbledhja tjetër do të zhvillohet javën tjetër, pasi deputetët kërkuan më shumë kohë për diskutime. Ne presim cdo lloj propozimi nga PD-ja do të zhvillojmë edhe një seancë të hapur si javën e kaluar, PD-ja është pjesë integrale e këtij komisioni”.
Gjithashtu ai ka theksuar se janë në pritje të propozimeve të PD-së, nëse do të zgjedhin një skemë miks për depolitizimin mbetet për t’u diskutuar jashtë dhe brenda komisionit.
“Paketa që diskutuam shoqërohet edhe me disa ndryshime të domosdoshme. Nëse do të bëhesh pjesë e shërbimit civil apo je, e ke të detyrueshme vajtjen në kursin e administrimit zgjedhor, nëse shkel procesin zgjedhor humbet vendin e punës, apo nuk kualifikohet për të qenë pjesë e aplikimeve. Kjo është certifikatë e domosdoshme, si arsimi i lartë për të aplikuar për nëpunës. Nëse të bie shorti dhe ndaj teje ka masë humbet vendin në shërbimin civil. Këto kërkojnë rregullime të shërbimit civil. Po presim propozimet e PD-së, nëse do të zgjedhim një skemë miks për depolitizimin mbetet për t’u diskutuar jashtë dhe brenda komisionit. Kam një mandat parlamentar, do e përmbush, mbase do e shtyjmë afatin sërish.”



