Dy avokatët Ibrahim Sako dhe Naim Hasani dhe ekspertja ligjore, Elta Milori, diskutuan në studion e MCN Informacion mbi vendimin e Gjykatës së Lartë për unifikimin e masës arrest me burg. Milori u shpreh se ky vendim do të sfidojë të gjithë sistemin. Saku u shpreh se vendimi do të bëjë të mundur lehtësimin e barrës për taksapaguesit, ndërsa Hasani tha se ky është një vendim i vonuar.
Elta Milori, eksperte ligjore
Barra e provës është te gjykata. Ky vendim do të jetë sfidë për gjithë sistemin. Do të duhen prova për të vërtetuar masën e arrestit me burg. Edhe vetë gjykatësit do të jenë para sfidës që sa do të jetë barra e provës dhe sa do të argumentojnë që ky individ duhet apo jo të marrë këtë lloj sanksioni ekstrem. Unë mendoj që ky vendim, pavarësisht se do kohën e vet për t’u aplikuar, do të ketë rezultat. Në të gjitha burgjet tona ka individë që mezi presin lirinë, sepse po rrinë të pahetuar. Po presin të dalë një gjykim dhe në fund dalin të pafajshëm. A konvertohet ai dëm që i bëhet vetë atij dhe familjes së tij. Ky vendim do të vërë para një sfide të gjithë sistemin.
Ibrahim Sako, avokat
Shpresoj të shërbejë fryma në aplikimin dhe vazhdimësinë e kësaj praktike. Është barrë për taksapaguesit shqiptarë. Ka shkuar 60 euro dita. Këta kanë ikur me idenë ta lëmë brenda që të jemi brenda. Nuk merrej asnjë lloj mase. Qoftë edhe 72 orë i mbajtur kot atje ndikon shumë në personalitetin e tij. Për vepra ordinere janë mbushur burgjet plot.
Naim Hasani, avokat
Është vendim i vonuar. Jam i surprizuar që një vendim i tillë nuk ka ekzistuar deri tani. Një qytetari nuk mund t’i hiqet liria pa arsye të forta. Vendimi i Gjykatës së Lartë duket si një premisë shumë e mirë për përputhshmërinë e ligjit me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Edhe Shqipëria duhet të ketë të njëjtin nivel nëse dëshiron të njësojë ligjet.



