
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka bërë një kërkesë për mbledhjen e Këshillit për mandatin e Olta Xhaçkës.
Shkak për këtë kërkesë është bërë përfshirja e bashkëshortit të saj, ish-deputetit të PS, Artan Gaçi në një projekt në bregdet si investitor strategjik.
Opozita e akuzon për konflikt interesi dhe kërkon largimin e saj si deputete.
Në dokumentin drejtuar Kuveendit, kërkohet thirrja e mbledhjes ditën e nesërme (14 shtator) në orën 13:00 me rend dite: “Vijimin e shqyrtimit të mocionit të 1/10 së deputetëve të grupit parlamentar të PD për ndjekjen e procesdurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka.”
Dokumenti është firmosur nga deputetët Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi, Ervin Salianji, Greta Bardeli dhe Saimir Korreshi, të cilët më pas e kanë dorëzuar në kryesinë e Kuvendit.
14 deputetë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike kanë dorëzuar në Kuvend më 20 qershor 2022, kërkesën për heqjen e mandatit të ministres Olta Xhaçka.
Disa nga deputetët e PD-së kërkuan ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit për ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Akuzat e opozitës, nga ana e saj, ministrja Xhaçka i ka cilësuar si spekulim të deputetëve të opozitës.



