
Mbledhja e Këshillit Bashkiak Vlorë është shoqëruar me një incident. Dy të rinj janë futur me forcë , veprim që ka çuar edhe në një konflikt me këshilltarët.
Mësohet se të rinjve u është shembur banesa në zonën pranë portit detar për shkak të një projekti rehabilitues dhe nuk janë dëmshpërblyer.
Atird Hoxha, anëtar i Këshillit Bashkiak i PD në Vlorë tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e lajmeve të MCN Tv se familja e të riut nuk është dëmshpërblyer dhe se sa herë kanë shkuar në dyer e administratës së bashkisë nuk kanë marrë zgjidhje për problemet e tyre.
Familjarët e të riut janë pjesë e një investimi që po zhvillon Bashkia Vlorë dhe FSHZH sa i përket lidhjes së rrugës Trans ballkanike me ish-portin detar se aty tani po bëhet një ndërtim strategjik me pallate shumëkatëshe dhe kulla në favor të klientëve të qeverisë.
Do duhet që jo vetëm ky, por të gjithë personat që preken nga ky projekt të kenë komunikim dhe ezaurim të problematikave sa i përket shpronësimit dhe përcaktimit të vlerës financiare që duhet të marrin.
Nga informacionet që kam marrë këta njerëz janë nxjerrë jashtë nga shtëpitë. Nuk di të them kush është dëmshpërblyer. Familja nuk është trajtuar me vlerën e shpronësimit, ky ka qenë pretendimi i tyre. Kanë shkuar në dyert e administratës dhe janë përcjellë me komunikime që nuk kanë zgjidhur problemet e tyre.



