
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka reaguar ndaj situatës së fundit në Kosovë. KMDLNJ ka theksuar se qëllimi i vetëm i serbëve është krijimi i Asociacionit dhe se çështja e targave është vetëm një pretekst i tyre për të arritur te qëllimi.
KMDLNJ, ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për konvertim të përshkallëzuar të targave.
Sipas tyre, ekzekutivi ose është dashur të pranoj shtyrjen e vendimit për targa ose të mos e shtyjë fare.
Reagimin KMDLNJ, e ka bërë përmes një komunikate për media.
Qeveria, ose është dashur të pranojë këtë shtyrje të afatit duke kërkuar garanca me shkrim, ose është dashur të mos e shtyjë për asnjë ditë të vetme.
Realisht, është e qartë që largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës ka qenë i planifikuar mirë dhe tabelat janë përdorur për të vënë në veprim përshpejtimin e formimit të Asociacionit – Zajednicës e që tani e ka marrë formën e kushtëzimit, si nga Serbia ashtu edhe nga ndërkombëtarët.
Ky këshill konsideron se afati përshkallëzues i Qeverisë së Kosovës i afrohej afatit të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-së prej 10 muajsh.
Serbët që jetojnë në brendi të Kosovës i kanë konvertuar tabelat, pa u përballur me asnjë problem ndërkaq që në komunat veriore i është vënë flaka veturave dhe shtëpive të atyre që i kanë konvertuar tabelat dhe kryerësit e këtyre veprimeve kriminale nuk janë hetuar e as kapur nga policia.
Ata më tej janë shprehur se tash janë tre kërkesa, kthimi i serbëve në institucione e Kosovës që i kanë lëshuar me vetdëshirë dhe për qëllime politike, shtyrja e pakushtëzuar e afatit për konvertim të tabelave ilegale dhe, si qershizë në tortë, formimi i menjëhershëm i Asociacionit.
Ndërkaq, organizimin e protestës të dielën në Veri KMDLNj e ka krahasuar me protestat që janë mbajtur në “kohën e Millosheviçit”.



