Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të shtunën ka shkuar në Divjakë dhe Karbunarë të Lushnjes për të bashkëbiseduar me banorë dhe fermerë të zonës në lidhje me krizën që ka mbërthyer bujqësinë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Përmes një postimi në Facebook, Basha shprehet se “Ramavirusi” ka prekur çdo qelizë të ekonomisë, përfshirë bujqësinë dhe agrobiznesin.
Ai shkruan se bujqësia shqiptare dhe fermerët po përballen me falimentim ekonomik, sepse para pandemisë ata nuk kishin asnjë mbështetje nga shteti.
Sipas tij, fermerët sot kanë nevojë për përkrahje financiare dhe masa konkrete e jo fjalë boshe në Facebook.
“Fermerët janë të shqetësuar për koston e shtuar të prodhimit dhe konkurencën e pandershme nga produktet e importit të cilat vijnë të subvencionuara nga vendet e origjinës. Produktet e tyre edhe pse shumë cilësore kalben ose groposen bashkë me investimin dhe djersën e tyre”, thekson Basha.
Kryedemokrati bën me dije se ekonomia shqiptare është në krizë të thellë, papunësia po rritet çdo ditë, konsumi është në kolaps dhe njerëzit kanë çdo ditë e më pak mundësi për të blerë.



