
Koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” ka çelur sot fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit në stadiumin Air Albania.
Teksa u prezantuan një për një të 61 kandidatët për kryetar bashkie, i fundit që u ngjit në podium ishte ai i Tiranës, Belind Këlliçi.
Në programin e tij, Këlliçi ka prezantuar se do të ofrojë shërbimin falas të urbanëve në kryeqytet.
Ai poashtu tha se pagesat për inceneratorin e Tiranës do të ndërpriten.
Bashkë, ne do punojmë duke ndjekur parimin e gjithëpërfshirjes në respekt të çdo shqiptari. Unë nuk do lejoj që në Tiranë të ketë diferencime. Banorë të Tiranës, kudo që jetoni, ju do jeni të barabartë në shërbime,” tha Këlliçi.
Bashkia e Tiranës do reflektojë traditën tonë të derës së hapur, për të ndihmuar këdo që u troket në derë. Unë besoj në premtimet që kam dhënë sepse janë 100 përqind të realizueshme. Edhe për një muaj, ata 200 mijë banorë që përdorin transportin publik, nuk do paguajnë më. Autobusi do jetë pa pagesë, taksat tona nuk do i marrin më bosat e inceneratorëve. Financimi i inceneratorit të Tiranës do ndërpritet urgjentisht. Tirana nuk do ketë dallim nga 250 qytete anembanë botës që ofrojnë transport publik falas pa pagesë,” tha kandidati i opozitës.
Është e pafalshme të mos ndërtohet një shkollë e vetme në një zonë me 70 mijë banorë. Taksa arsimore pas 14 majit, do bëhet zero, si për qytetarët, ashtu edhe për biznesin,” tha Këlliçi.
Këlliçi premtoi sërish ndërtimin e një tuneli nëntokësor poshtë sheshit ‘Skënderbej’. Ai deklaroi se investimet do shkojnë kryesisht për polet e tjera të qytetit, pasi Tirana do bëhet një qytet policentrik.



