
Ish-ministri Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në periudhën 2007-2009, Ylli Pango ka nisur dëshminë e tij në procesin gjyqësor që lidhet me dosjen ‘Partizani’.
Gjatë përgjigjeve të tij, Pango deklaroi në disa raste se nuk i kujtonte me saktësi veprimet dhe procedurat e kryera rreth 18 vite më parë.
Sipas tij, përgjegjësia për çështjet që lidhen me sportin nuk i takonte drejtpërdrejt ministrit, por drejtuesve të institucioneve përkatëse. Ai theksoi se në atë periudhë përgjegjës për sportet ishte Armando Duka.
“Edhe pse isha ministër në qeverinë e asaj kohe, përgjegjësia për sportet i takonte Armando Dukës. Duka ishte i zgjedhur, ndërsa unë i emëruar. Nuk kisha asnjë pushtet mbi të”, deklaroi Pango para gjykatës.
Ish-ministri shtoi gjithashtu se asetet publike nuk ishin në varësi të ministrisë që ai drejtonte, por përbënin pronësi dhe përgjegjësi të ministrisë së ngarkuar me ekonominë.



