
Pas shkarkimit të Elisabeta Imeraj në kuadër të procesit të vetingut, caktohet zëvndësuesi i saj.
Si pasojë e shkarkimit të drejtueses së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Elizabeta Imeraj, nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, është mbledhur urgjent për caktimin e përkohshëm të drejtuesit të kësaj prokurorie.
Me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi unanimisht të miratojë projekt- aktin për ndërprerjen e komandimit të prokurorit Arens Çela, i komanduar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kthimin e tij në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ku ka emërimin si prokuror.
Më pas, me 10 vota pro, është miratuar projekt-akti për caktimin e përkohshëm të prokurorit Arens Çela, në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Në përfundim, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, miratoi hapjen e garës për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Të pranishëm në mbledhje ishin të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të ftuarit përfaqësues nga Programi OPDAT.



