
Partia Demokratike ka deklaruar sot se ka zbuluar me prova, mashtrimin e kryeministrit Edi Rama për shembjen e Teatrit Kombëtar. Sipas PD, Fusha shpk nuk është pronare kufitare e Teatrit, siç pretendohet nga qeveria në ligj për të grabitur rreth 8 mijë metra katrorë tokë publike.
Qëllimi i Edi Ramës, sipas PD-së nuk është ndërtimi i Teatrit, por pastrimi i parave të pista të drogës dhe korrupsionit.
"Qëllimi i Edi Ramës nuk është teatri i ri, por pastrimi i parave të pista të drogës dhe korrupsionit. Kryeministri miratoi një ligj të jashtëzakonshëm që grabit pronën publike dhe ia jep atë kompanisë “Fusha shpk”, nëpërmjet të cilës do të fitojë të paktën 205 milionë euro me kullat që do të ndërtojë në zemër të Tiranës. Argumenti kryesor, siç shkruan qeveria në shpjegimin e ligjit, është se propozimi i “Fusha shpk” për të ndërtuar tek teatri u pranua edhe për faktin se kompania është pronare kufitare. Ky është një mashtrim skandaloz që u bëhet shqiptarëve, i bëhet Presidentit të Republikës dhe Komisionit Europian që po shqyrton çështjen! Pavarësisht se Edi Rama e ndaloi kryeregjistruesin e pronave të informonte parlamentin për pronën e kompanisë “Fusha shpk”, Partia Demokratike ka zbuluar mashtrimin e Edi Ramës, Erion Veliajt dhe kompanisë “Fusha”!", deklaroi Vokshi.
Deputetja demokrate vijoi akuzat ndaj kryeministrit kur tha se Edi Rama ka mashtruar Parlamentin! Harta e zbuluar nga PD provon se “Fusha shpk” nuk është pronare kufitare me Teatrin, siç mashtron qeveria në ligj për të grabitur rreth 8 mijë metra katrorë tokë publike.
"Edi Rama dhe kukullat e tij, Veliaj e Kumbaro kanë gënjyer qëllimisht Kuvendin! Kjo është një arsye e mjaftueshme që Presidenti të mos e dekretojë ligjin korruptiv “Rama- Fusha”. Mashtrimi i Parlamentit me ligj nga kryeministri është një fakt i mjaftueshëm që çdo prokurori e pavarur dhe e pakontrolluar politikisht do të merrte sot në ndjekje penale Edi Ramën dhe çdokënd që ka mbrojtur këtë mashtrim skandaloz, duke përfshirë Erion Veliajn dhe Mirela Kumbaron. Nëse prokuroria nuk do të ishte një vegël politike, do të duhet ta kishte nisur me kohë hetimin për aferën e Edi Ramës prej të paktën 205 milionë euro me kullat tek Teatri, sepse faktet që provojnë se plani i kryeministrit është i hershëm dhe i mirëmenduar, i kemi bërë publike", tha Vokshi më tej.
PD tha deputetja demokrate që diten e parë ka qenë në krah të artistëve dhe ka denoncuar me forcë këtë aferë korruptive, dhe sipas saj transparenca për këtë akt mafioz do të vazhdojë me këmbëngulje dhe pa asnjë hezitim.
Kryetarja e Komisionit të Medias i bëri përsëri apel edhe njëherë Presidentit të Republikës që të ndalë këtë akt korruptiv dhe të rrëzojë ligjin antikushtetues.



