Kryetari i Partisë për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule në fjalën e tij në Kuvend, u ndal në arrestimin e të zgjedhurit kryebashkiak të Himarës, Fredi Beleri, dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit. Dule tha se ne ndodhemi në një fazë shumë të arrirë të pushteteve ku kemi shtet, qeveri, dhe një Ludovik i cili thotë “shteti jam unë”. “Në një kohë kur Luigji i XIV ishte idhull, ky i joni është turp i kombit. Një qytetar, Fredi Belerit i dhunohet në mënyrë arbitrare liria. Një kryetari të zgjedhur me mandat të ratifikuar, i privohet e drejta kushtetuese. Një komuniteti, atij të Himarës, i nëpërkëmbet e drejta e sovranit. Thjesht dhe vetëm se nuk i pëlqen Ludovikut të parë të Shqipërisë. Autor i pengmarrjes së zotit Beleri është Edi Rama.” Në vijim Dule tha se para zgjedhjeve të 14 majit, ishte Edi Rama ai që dha sinjalin në takimin me himariotë, me qëllim rrëmbimin e bashkisë Himarë. Sipas tij gjysmë ore para rrëmbimit siç e quajti Dule të Fredi Belerit, Edi Rama dha urdhrin që të mbahet peng.



