
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli nuk i kurseu akuzat e forta ndaj kryetarit Lulzim Basha. Sipas Topallit, Basha ka thirrur Kongresin të dielën për të shmangur skandalin me lobimet ruse. E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ish-kryeparlamentarja deklaron se çdo gjë që thotë Basha është një gënjeshtër.
"Unë besoj se as Basha nuk e di pse po e bënë këtë kongres, ai di vetëm një gjë, që ditën që është shpallur që do ketë Kongres nuk i ka thënë shqiptarëve që do jetë për statutin. Pas hetimit për lobimin që ka nisur në SHBA, Basha del dhe thotë do bëjmë kuvend. Ai të dielën do të mbledh delagatët dhe do të diskutojë për ndryshimet që janë të Lulzim Bashës, asgjë tjetër. Kjo që bënë Basha është një farsë. Cdo gjë që sillet rreth tij është e rreme. Ai thotë do të ndryshojë Shqipërinë ky status, por është një gënjeshtër, është një tallje e madhe. Basha, është një rast unikal, nuk hyn në asnjë histori politike, është dicka e pashpjegueshme, por di që ky kongres është thjesht një agoni e këtij drejtuesit, i cili po e vesh si farsë. Vendi sot është pa qeveri dhe pa opozitë!", shprehet Topalli.
Ish deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, në vazhdën e akuzave deklaroi se Lulzim Basha ka mashtruar që ditën e parë që ka mbërritur në Shqipëri dhe i është bashkuar PD-së. Topalli u shpreh, se Basha kishte deklaruar në vitin 2005 se kishte lënë përgjysëm një kontratë të majme me EULEX për të kontribuar për Shqipërinë.
Por Topalli tha se kjo ishte gënjeshtra e parë e Bashës, pasi kontrata e punës me EULEX, i kishte mbaruar.
"Rezervat e mia ndaj Bashës, kanë filluar që kur ka thënë gënjeshtrën e parë, që kur tha që unë erdha në Shqipëri dhe lashë kontratën, gënjeu sepse i kishte mbaruar kontrata. Doktorit ja kam thënë shqetësimin për Bashën që ditën e parë që e kam njohur. Problemet janë thelluar kur erdhëm në opozitë, se ndryshe kur ishte në qeveri, se dilte në televizor, rrinte pas Berishës, kaq bëntë ai. Në opozitë pastaj doli hapur, aty kanë nisur akuzat e mia në grupin parlamentar dhe kritikat e para që unë i kam bërë është shkatërrimi i piramidës së PD që i bëri. Për drogën Basha ka folur tepër vonë, po kështu për dekriniminalizimin, mbledhjet e grupit i bëntë si mbledhje pleniumi", tha Topalli.



