Çuçi: Zbatimi i reformës në drejtësi do i jepte fund pandëshkueshmërisë

Çuçi: Zbatimi i reformës në drejtësi do i jepte fund pandëshkueshmërisë

Reforma në drejtësi është guri i themelit në luftën kundër korrupsionit, u shpreh të mërkurën ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, njëkohësisht Koordinator në luftën kundër Korrupsionit.

Deklarata e minisrit u bë gjatë takimit me temë “Shqipëria dhe BE, të bashkuar në luftën kundër korrupsionit”, në kuadër të Projektit të Binjakëzimit ndërmjet Austrisë, Gjermanisë dhe Shqipërisë i financuar nga BE për zbatimin e politikave kundër korrupsionit, mbajtur në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Tiranë.

Ai theksoi se duhet vendosmëri në zbatimin e saj për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë kulturës së pandëshkueshmërisë.

Ministri Çuçi iu referua një raporti të publikuar nga Transparency International(TI) për matjen e perceptimit ndaj korrupsionit në Europë dhe Azinë Qendrore, i cili e rendit Shqipërinë mes 5 vendeve të para.

“Një grafik i qartë që flet për perceptimin e veprimeve të qeverisë ku Shqipëria renditet pozitivisht në 5 vendet e para është dhe një përgjigje ndaj skeptikëve në këtë drejtim”, tha Çuçi.

Lufta ndaj këtij fenomeni, theksoi ai, nuk është e lidhur vetëm me punën e institucioneve, por ajo është një sfidë dhe për shoqërinë shqiptare.

Në fjalën e tij Drejtori për Zgjerimin në KE, Danielsson, e vlerësoi esenciale për Shqipërinë, luftën kundër korrupsionit.

Duke siguruar për mbështetjen e KE-së në këtë drejtim, Danielsson tha se progresi në luftën kundër këtij fenomeni do të thotë progres dhe në luftën ndaj krimit të organizuar.

Ai përsëriti nevojën e një zbatimi të besueshëm të reformës në drejtësi dhe mbi të gjitha të ligjit të Vettingut, ndërsa theksoi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit edhe në shërbimet publike, por dhe kontrollin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, gjë që do rriste besueshmërinë në këtë drejtim.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy