Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Laç aty ku ka nisur blloku i parë i ndërtimeve të financuara nga Turqia për banesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Sakaq kryeministri thotë se ka nisur gjithashtu edhe prishja e 23 godinave për bllokun e dytë, për të cilin ka patur edhe disa protesta nga banorët.
Ndërtimi i banesave në Laç është marrë përsipër nga Turqia, e cila ka firmosur për 522 njësi banimi.
“LAÇ - Gati për pak ditë sheshi 4 hektarë për bllokun e parë (1/1) të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit dhe gjithë procedurave të prishjeve e të shpronësimeve gjithashtu, të cilat janë kryer me rigorozitet të plotë për të përmbushur çdo detyrim ligjor ndaj pronarëve dhe për të mundësuar zhvillimin e integruar të gjysmës së lagjes së re të qytetit. Për këtë pjesë po angazhohet Agjencia e Strehimit të Republikës së Turqisë.
Kanë nisur prishjet e 23 godinave të tjera në bllokun e dytë (2/2) që është gjysma tjetër e lagjes së re, e cila ndahet nga rruga kryesore, e ku do të ndërtohet edhe Spitali i Ri për të cilin Ministria e Shëndetësisë po pret përfundimin e garës. Ky bllok do të ndërtohet me fondet e qeverisë shqiptare.
Paralelisht po punohet për projektin e rrugës drejt Sh'na Ndoit, që do të plotësojë ndërhyrjen masive në këtë qytet, ku falë vendit të shenjtë hyjnë çdo vit 2.5 milion vizitorë - çka me lagjen e re e plot shërbime cilësore do ta kthejë Laçin në një qytet të vogël të turizmit religjioz,”-shkruan Rama.



