
Opozita u largua nga mbledhja e Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin ku po diskutohej zgjatja e afateve të vetingut. Kreu i grupit parlamentar të PD, Alfred Rushaj në një prononcim për gazetarët jashtë Kuvendit tha se mazhoranca nuk do që të trajtojë së bashku ndryshimet kushtetuese të zgjatjes së afateve të vetingut dhe ndryshimet që propozon PD, por do t’i trajtojë ato veçmas.
Në mënyrë tërësisht të çuditshme PS refuzoi që ta shtynte diskutimin me dy ditë që të diskutohet i gjithë ndryshimi Kushtetues. Nuk e kuptojmë këtë gjë pasi këtu po flitet për një konsensus që ka nevojë për votat e të dyja palëve, 93 – 94 vota, ndërkohë që nuk bien dakord për të shtyrë me dy ditë diskutimin e një mbledhje ku do të diskutohen këto ndryshime. Edhe pse ne e kemi përsëritur dhe e themi prapë, sikur u mbaron rroga 14 vetave që merren aktualisht me vetingun, nuk mund të jetë prioriteti i shqiptarëve, ne themi jemi të gatshëm ta diskutojmë pasnesër, sa kohë diskutohet në tërësi ndryshimi kushtetues, mazhoranca këtë gjë e refuzon. Ne jemi të gatshëm që pasnesër të diskutojmë në tërësi ndryshimet të shohim nëse ka reflektim apo jo nga ana e tyre.
I pyetur nëse ka frikë PD se nëse voton këto ndryshime të kërkuara nga PS lidhur me zgjatjen e procesit të vetingut, nuk do të marrë nga ato çfarë kërkon nga reformat e propozuara nga PD, Rushaj u shpreh se këtu nuk bëhet fjalë për frikë. Rushaj thotë se ata nuk mund të mblidhen sot me një trup të veçantë për nenin 1, dhe pastaj pas 2-3 ditëve, me një trupë të veçantë për nenin 5. Sipas tij një projektligj shqyrtohet në tërësi.
Këtu nuk bëhet fjalë për frikë. Ju jeni gazetarë. Po propozohet ndryshimi i disa neneve të një ligji. Propozimi ynë është që meqë është një ligj, pasnesër të hapet diskutimi, të caktohen relatorët për të gjitha ndryshimet e propozuara dhe të vazhdohet normalisht me kalendarin. Nuk e duan. E duan të ndara të ndara nga njëra-tjetra, shqyrtimin e këtyre nismave, gjë që është e paarsyeshme. Po shikohet të ndryshohet një ligj, i cili ka disa nene. Ne nuk mund të mblidhemi sot me një trup të veçantë për nenin 1, dhe pastaj pas 2-3 ditëve, me një trupë të veçantë për nenin 5. Një projektligj shqyrtohet në tërësi.



