
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u takua sot me Anton Belushin, përfaqësues i komunitetit të arbëreshëve. Belushi e informoi kryetarin e Kuvendit mbi përpjekjet e komunitetit të arbëreshëve të Italisë për ruajtjen e gjuhës, vlerave dhe identitetit të tyre kombëtar.
“Ky është viti i Skënderbeut”, nënvizoi Belushi, "Por ne Skënderbeun e përkujtojmë dhe e nderojmë përditë, me përpjekjet tona për ruajtjen e identitetit dhe të vlerave shqiptare”.
Belushi e informoi kryetarin e Kuvendit mbi marrëveshjen me Arkivin Qendror të Shtetit për dorëzimin pranë këtij Arkivi të arkivit të tij personal.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, e falënderoi At Belushin për kontributin e tij shpirtëror, kulturor e shkencor në ruajtje të identitetit, gjuhës dhe vlerave të arbëreshëve.
“Diasporat shqiptare”, vuri në dukje Ruçi, “kanë bërë përpjekje titanike për ruajtjen e identitetit shqiptar. 100 mijë arbëreshët e Italisë i paraprijnë këtij kontributi. Shqipëria, Kuvendi dhe Qeveria u jemi atyre borxhlinj. Kontributet e tyre janë një mësim i madh për ne, për të shumëfishuar përpjekjet dhe burimet për bashkëpunimin me Diasporën dhe lehtësimin e kontributitt të saj për zhvillimin e vendit. Kjo do të mundësohet jo vetëm me legjislacionin dhe institucionet e reja që kemi ngritur dhe burimet e mobilizuara, por nëpërmjet përkushtimit më të madh kombëtar e njerëzor”.



