Deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhen sërish sot për të pestën herë në përpjekje për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët.

Kuvendi ka mbetur pa zgjedhur kryeparlamentarin, pasi LVV propozoi Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por e njëjta u votua vetëm nga 57 deputetë.
“VV-ja e propozon atë që gjithmonë ishte propozimi ynë, Albulena Haxhiun. Iu lus ta mbështesni dhe të dalim nga kjo bllokadë” - tha Glauk Konjufca në seancë.
LVV thotë se nuk do ta ndërrojë kandidaten për kryeparlamentare, ndërsa ka kërkuar marrëveshje politike për zgjedhjen e Albulena Haxhiut.
Në sallë kanë votuar 57 deputetë për, 46 kundër dhe 3 kanë abstenuar.
Seanca është shtyrë për të premten, me fillim prej orës 10.
Përderisa PDK-ja dhe AAK-ja kanë sugjeruar se Lëvizja Vetëvendosje duhet ta propozojë një kandidat tjetër të pranueshëm për partitë politike, LDK-ka ka theksuar se nuk do ta votojë asnjë kandidat të LVV-së për kryeparlamentar.
Mungesa e marrëveshjeje eventuale ndërmjet partive politike që do ta zgjidhte situatën për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, do ta thelloj edhe më tej ngërçin institucional në Kosovë.



