Partia Demokratike akuzon Qeverinë për shpërndarje selektive të ndihmave për qytetarët në nevojë dhe se gënjen kur thotë se rezervat e shtetit kanë ushqime dhe material të tjera jetike për 3 muaj.
Përmes një konference për mediat, ish-deputeti Enkelejd Alibeaj tha se rezervat e shtetit kanë zero ushqime për qytetarët, pasi atyre nuk u intereson fare nëse e keni bosh apo plot frigoriferin dhe nëse keni ilaçe apo jo.
Alibeaj tha se Qeveria e ka mendjen si të vjedhë dhe si të ndajnë parat me miqtë dhe oligarkët.
“Ju jeni pa bukë, ndërsa Edi Rama dhe Olta Xhaçka sapo dhanë një tender 1.5 milionë euro”, tha ai.
Ish-deputeti demokrat ngriti disa pyetje në lidhje me tenderin e hedhur nga Qeveria për blerjen e ushqimeve.
“Pse u vonua për një muaj tenderi për blerjen e ushqimeve? Si u përzgjodh kompania fituese? Kush e fitoi tenderin?”, pyeti Alibeaj, në emër të PD-së.
Në fund të deklaratës së tij, ai tha se këto pyetje kërkojnë përgjigje nga “Alo Qeveria”.



