
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot Ambasadorin Lamberto Zannier, kryesues i misionit të vëzhgimit të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Biseda midis presidentit Begaj dhe Ambasadorit Zannier u përqendrua në rëndësinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor të drejtë, të lirë dhe të ndershëm.
Presidenti vlerësoi përpjekjet e misionit të OSBE-ODIHR-it dhe u njoh me gjetjet e deritanishme të misionit, duke theksuar se Shqipëria është angazhuar për të garantuar një proces zgjedhor të pastër dhe transparent.
Një pikë kyçe që u theksua gjatë bisedës ishte përfshirja e Diasporës në procesin zgjedhor për herë të parë në histori.
Presidenti Begaj e cilësoi këtë një hap të rëndësishëm për mundësimin e shprehjes së vullnetit të lirë të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit, duke ofruar mundësi për të kontribuar në zgjedhjen e udhëheqësve të ardhshëm të vendit.
Kreu i Shtetit gjithashtu përgëzoi misionin e OSBE-ODIHR-it dhe organizatat ndërkombëtare të tjera për angazhimin e tyre në vëzhgimin e procesit zgjedhor në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe integritetit të zgjedhjeve.



