
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë takimit me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit për Çështje Evropiane dhe të Euroazisë, Gabriel Escobar, ka diskutuar për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Sipas njoftimit të ministrisë së Jashtme, Gërvalla, ka theksuar se bisedimet mund të zhvillohen vetëm mbi baza të parimeve të cilat mbështeten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
“Ministrja Gërvalla, zhvilloi takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Eskobar, në margjina të takimit të Komisionit të Partneritetit në nivel ministror të Kartës SHBA-Adriatik (A5), që po zhvillohet në Zagreb.
Ata kanë biseduar për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për çka Gërvalla ka theksuar se dialogu mund të zhvillohet vetëm mbi bazë të parimeve dhe vlerave të përqafuara nga ShBA-të dhe BE-ja dhe me synim njohjen e ndërsjellë mes shteteve fqinje”, vijon njoftimi.
Siç thuhet në njoftim, gjatë këtij takimi, ministrja Gërvalla e ka informuar Eskobarin me zhvillimet aktuale në Kosovë, duke u ndalur në progresin e shënuar në fushën e ekonomisë dhe drejtësisë.
Po ashtu, duke folur për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, Gërvalla e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në të gjitha dimensionet e shtet ndërtimit.
Ministrja Gërvalla ishte sot pjesë e takimit të Komisionit të Partneritetit në nivel ministror të Kartës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Adriatik, që po zhvillohet në Zagreb të Kroacisë.



