Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha nga Shkodra se çdo zyrtar në administratë që angazhohet në fushatë dhe përdor pushtetin për zgjedhjet do të shkarkohet nga detyra.
Duke e cilësuar këtë si fillimet e Republikës së re, Basha tha se ky është vetëm fillimi.
"Ne sot që flasim, ministrat janë garantë të zbatimit të kësaj marrëveshje. Paradite u shkarkua shefi i komisariatit të Vaut të Dejës, i cili bashkë me shoferin e tij kërcënoi reporterin e fushatës së Partisë Demokratike. Po paradite u shkarkua simboli i korrupsionit në Pukë, drejtoresha e shëndetësisë. Para se të mbërritja këtu, mora lajmin se u shkarkua drejtori i Hipotekës së Shkodrës.
Kështu do të shkarkohet çdo zyrtar që përdor ofiqet e pushtetit për të diktuar apo për të shtrembëruar vullnetin e qytetarit për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Le ta themi me gojën plot një frazë që na e ka vrarë veshin në 4 vjet: Ky është vetëm fillimi! Ju themelues të Republikës së re. Mos kini frikë të denonconi pranë shtabeve tona elektorale çdo shkelje të ligjit zgjedhor dhe ju që jeni mësuar të shkelni ligjin. Ndatë thasë me miell për të blerë votën, minimumi 1 vit burg. Nuk luhet më me votën. Këtë e vendosi Republika e re", tha Basha.
Duke iu përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama për demokratët dhe marrëveshjen me PD, kreu i opozites tha se gjithçka u arrit falë vendosmërisë së qytetarëve.
“Sot anembanë Shqipërisë, zuzarët dhe matrapazët e dinë se marrëveshja u bë se e detyruat ju. T’i lërë broçkullat që demokratët qenkan të mirë dhe unë qenkam djalë i mirë se u zmbraps kur pa vendosmërinë tonë, vendosmërinë tonë për të mos u zhvilluar zgjedhje farsë. Ministrat janë garant të zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, u shpreh Basha duke përmendur disa prej shkarkimeve të bëra nga ministrat teknikë.



