Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu e konsideroi një ide absurde dhe mjerane atë që epokën e sotme në Shqipëri ta quajmë “Republikë të Prokurorëve”.
Duke folur në MCN Live Mediu e konsideroi të drejtë idenë e Sali Berishës për t’iu adresuar Komisionit të Venecias lidhur me këtë çështje.
“Ka një keqkuptim të madh që konsiderohet SPAK-u si drejtësia shqiptare. SPAK-u është organi i akuzës dhe ka të drejtë të barabartë me ata që akuzohen. Nëse i atribuojmë të drejtën që të jetë institucion i drejtësisë s’jemi më në Republikë Parlamentare. Debati apo ngazëllimi i tepërt duke e quajtur republikën e sotme si Republikën e Prokurorëve, është të mos them mjerane dhe idiote, por e pa kuptimtë në republikën parlamentare.
Ne kemi nevojë për një reflektim çfarë duhet të bëjmë. Ideja e Berishës për t’iu adresuar Komisionit të Venecias është e drejtë. Një vend 4 vjet pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë!
Janë larguar shumë njerëz me integritet nga pushteti gjyqësor.Janë kaluar njerëz me probleme në integritetin profesional dhe deklarimin e pasurive, të cilët janë të shantazhueshëm. Pjesa më e madhe e drejtësisë janë të kontrolluar nga mazhoranca. Opozita duhej vendosur përballë një presioni gjyqësor, që t’i garantonte ecurinë e mëtejshme pushtetit të PS”.



