Edhe përpjekja e 36-të për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës ka dështuar sot, për shkak të mungesës së kuorumit për votimin e Komisionit që mbikëqyr procesin e votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Në seancë ishin të pranishëm 99 deputetë, nga të cilët 53 votuan pro formimit të komisionit, një votë ishte kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.
Megjithatë, ky rezultat nuk mjaftoi për të kaluar në fazën tjetër.
Seanca e parë e kësaj legjislature u mbajt më 15 prill, dhe që prej asaj kohe, Kuvendi ka dështuar 26 herë radhazi në të njëjtën pikë: miratimin e Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, vazhdojnë të mos propozojnë anëtarë për këtë komision, duke bllokuar procesin.
Në qendër të ngërçit është kandidatura e Albulena Haxhiut nga Vetëvendosja, e cila nuk ka arritur të sigurojë shumicën e domosdoshme prej 61 votash në votimin e hapur, ndaj Kuvendi nuk ka kaluar ende në votimin e fshehtë.
Seanca e radhës do të mbahet të mërkurën me fillim nga ora 11:00.



