
Drejtori i Kabinetit të kreut të PD-së, Dorjan Teliti të mërkurën është shprehur se kryeministri Edi Rama i paguan 500 mijë euro një inceneratori që nuk ekziston në Fier.
Përmes një deklarate për mediat nga selia e PD-së, Teliti theksoi se me Edi Ramën në krye të qeverisë, abuzimi me paratë e shqiptarëve nuk ka të ndalur, pasi sipas tij, gjithçka është për klientët dhe asgjë për qytetarët.
“Inceneratorët janë modeli më korruptiv i kësaj qeverie. Janë shembulli sesi ata punojnë për të mbushur xhepat e tyre dhe të disa klientëve, me të cilët pasurohen”, tha ai.
Teliti u shpreh se qeveria i ka paguar vetes dhe bandës së tij tek inceneratori i Fierit 500 mijë euro vetëm dje.
Sipas tij, janë gjysmë milioni euro për 5 njerëz, ndërkohë që për qytetarët nuk ka më asnjë ndihmë tjetër.
“Për vete marrin 500 mijë euro me një dorë, qytetarëve në ditën e tyre më të keqe i pagoi mesatarisht nga 10 euro dhe as nuk ka ndërmend të shtijë asnjë qindarkë më shumë”, tha ai.
Teliti deklaroi se vendimi për të vazhduar me pagesat miliona euro për inceneratorët që nuk ekzistojnë është kriminal.
Ai theksoi se deri më tani, për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës janë paguar 9.1 milionë euro nga taksat e shqiptarëve.
“E gjithë kjo vjedhje dhe abuzim po ndodh kur ekonomia është realisht në recesionin me te madh te 30 viteve te fundit, kur të ardhurat ne arken e shtetit janë në pikën e tyre më të ulët dhe kur borxhi publik vazhdon të rritet me ritme marramendëse”, tha shefi i kabinetit të Lulzim Bashës.
Ai u shpreh se vetëm ditën e djeshme 1568 familje nuk patën mundësi të merrnin pagesën 40 mijë lekëshe, pasi paratë e tyre shkuan në xhepat e inceneratorit të Fierit, duke e paguar këtë të fundit me 510 mijë euro nga paratë e taksapaguesve.
Sipas tij, kryeministri i paguan vetvetes në një dorë gjysmë milioni euro për inceneratorin që nuk ekziston, pasi qeveria ka marrë vulën e turpit të “kap ça t’kapësh” disa muaj përpara largimit.
“Edi Rama do të mbahet mend si kryeministri që theu çdo rekord për falimentimin e bizneseve, për mbylljen e dhjetëra mijëra vendeve të punës, si kryeministri që ka abuzuar miliona e miliona euro dhe pasuri të tjera, duke u rritur taksat shqiptarëve”, u shpreh Teliti.
Ndërsa theksoi se më atë në krye të qeverisë vendi ka vetëm varfërim, prandaj sipas tij ne duhet ta ndryshojmë këtë gjendje për t’i dhënë vendit një qeveri që nuk punon për pasurimin e kryeministrit dhe të një grushti pushtetarësh, oligarkësh e kriminelësh, por për mirëqenien e shqiptarëve.



