Kryeministri Edi Rama ka folur sërish në median greke për çështjen “Beleri”, këtë herë në televizionin ERT. Në intervistë Rama vë në dukje se drejtësia është sovrane dhe qeveria nuk mund të interferojë në asnjë lloj forme në të. Ai sjell në vëmendje faktin që edhe ish-zëvendësi i tij Arben Ahmetaj është në kërkim.
“Së pari, që në momentin kur SPAK, Prokuroria jonë speciale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar futet në një proces zyrtarisht, gjithmonë unë, qeveria ime, partia që unë drejtoj, pra shumica parlamentare e Shqipërisë bën të njëjtën gjë, ekzakt të njëjtën gjë, siç kemi bërë dhe në këtë rast. I referohemi vetëm drejtësisë sovrane për të bërë drejtësi dhe nuk interferojmë në asnjë formë dhe përmes asnjë rruge, qoftë publikisht, qoftë jo publikisht në punën e saj. Sepse ky është një moment historik për Shqipërinë. Dhe sot kjo drejtësi nuk është në aktin e vetë të parë me zotërinë për të cilin është shqetësuar Athina zyrtare, por ky është njëri nga hallkat e zinxhirit të krijuar të këtyre akteve të goditjes së problemeve me të cilat ajo merret të njerëzve shumë pranë pushtetit. Sot ish zëvendësi im është në kërkim. Janë 4 apo 5 kryetarë bashkish të Partisë Socialiste që janë në paraburgim, në pritje të daljes në gjyq për të njëjtën arsye: Vullnetin e kësaj drejtësie për të goditur pa parë se çfarë ngjyre ka, se afër kujt është apo se kë po lëndon nga pikëpamja politike apo nga pikëpamja financiare”, tha Rama.
Në intervistë Rama tha se "ka 80 vite që ka mbaruar Lufta e Dytë Botërore dhe akoma sot Greqia ka në fuqi ligjin e luftës, gjë që është një arkaizëm i madh dhe gjë për të cilën ne jemi shumë të interesuar që ta shohim të largohet një herë e përgjithmonë nga rruga jonë e përbashkët".



