
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe homologu i tij evropian, Miroslav Lajçak, vizitojnë sot Serbinë, për të biseduar me liderë shtetërorë, lidhur me tensionet e fundit në veri të Kosovës.
Escobar dhe Lajçak kanë qenë në Kosovë më 5 dhe 6 qershor.
Dyshja i kanë dhënë ultimatum kryeministrit Albin Kurti që më së largu deri të mërkurën duhet të japë përgjigje nëse e pranon zgjidhjen e propozuar nga ShBA-ja dhe BE-ja për depërshkallëzimin e situatës në veri.
Ata gjatë takimit me gazetarë përmendën edhe tri kushtet që i kanë paraqitur kryeministrit Kurti, e që janë: qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog me Serbinë.
Escobar ka thënë për gazetarët në pasditen e së martës se Washingtoni qëndron me popullin e Kosovës, por ka shtuar se nuk mbështet një individ që “nuk ka instinkt bashkëpunimi”, duke aluduar te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Zyrtari i lartë amerikan Escobar kishte thënë se pavarësisht se SHBA-ja qëndron pas Kosovës, moskoordinimi me ta për çështjen e kryetarëve të rinj të komunave në veri, do të ketë pasoja për Prishtinën.
Escobar tutje ka thënë se raporti mes Kosovës dhe SHBA-ve nuk do të ndryshoj pavarësisht rrethanave të krijuara.
Ai ka shtuar se ka vështirësi me kryeministrin Albin Kurti, por që kjo nuk do të ndikojë në raportin Kosovë-SHBA.
Emisari i SHBA-ve shtoi se i dhemb fakti që qytetarët në Kosovë po mendojnë që SHBA-ja është në favor të Serbisë.
“Do të jem shumë i sinqertë. SHBA-ja ka qenë mbështetësi juaj kryesor. Më dhemb të shoh se njerëzit mendojnë se ne disi po e çojmë marrëdhënien tonë, dhe angazhimin në Kosovë, për favore të Serbisë”, u shpreh Escobar, duke përmendur shumë procese në të cilat SHBA-të i kishin dalë kundër Serbisë, në favor të Kosovës.
Ai më tej shtoi se pavarësisht që SHBA-ja do të jetë gjithmonë krah popullit të Kosovës, kjo nuk do të thotë se do të qëndrojnë krah një individi.
Dy zyrtarët vizituan Prishtinën dhe Beogradin, me synimin që të gjejnë një zgjidhje për qetësimin e situatës në tri komuna në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Në këto komuna, që nga 29 maji, serbët lokalë po protestojnë rregullisht për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale – të cilët fituan zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.



