
Në ditën kur po shënohet 22 vjetori i çlirimit të Kosovës, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë po mbahet një aktivitet protestues përmes artit, për shkak të fyerjeve, që veteranët e luftës thonë që po bëhen ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe në përkrahje të çlirimtarëve të vendit.
Ushtruesi i detyrës të kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, tha se ky aktivitet u organizua për njerëz që nuk ia dinë vlerën lirisë.
“Në kohët më të vështira të shqiptarëve, kanë qenë luftëtarët që kanë dal ballë. Lufta dhe angazhimi të UCK-së është vetëm një pjesë e realizimit të qëllimeve të UCK-së. UNMIK akuzoj dhe gjykojë vetëm shqiptarët. Gjykata Speciale gjykon vetëm shqiptarët. Në këtë përvjetor themeluesit gjenden prapa grilave në Hagë, pasi gjykohet lufta jonë dhe jo ndaj krimeve të Serbisë. Ky aktivitet u organizua për njerëz që nuk ia dinë vlerat lirisë, ndër ta edhe ministrat e Qeverisë".
Ideatori i këtij aktiviteti, Besart Gashi ka paraqitur figurat e ish drejtuesve të UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim nga Specialja në Hagë, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, e të tjerë.

Protestuesit po ashtu gjatë aktivitetit kanë pasur me vete edhe flamujt kombëtar.
Ndryshe, Specialja e Hagës ka akuzuar drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se kanë kryer krime kundër njerëzimit gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Për këto akuza ata po mbahen në paraburgim prej momentit kur ishin arrestuar në Kosovë gjatë vitit të kaluar.



