Një raport i hartuar nga Parlamenti Europian mbi mediat në Ballkanin Perëndimor dhe raportin e tyre me lajmet e rreme dhe dezinformimin e sheh median në Shqipëri të lidhur ngushtë me politikën. Raporti konstaton se në rastin e Shqipërisë, dezinformimi ndodh për dy arsye: komerciale dhe politike.
Në raport sillet rasti i marsit të këtij viti, kur kyeministri Rama u detyrua të kërkonte falje pasi publikoi videot për dhunën e policisë spanjolle për të frenuar përhapjen e Covid-19, lajm që më pas rezultoi i rremë, pasi u zbulua se videoja nuk kishte lidhje as me Spanjën dhe as me situatën e Covid-19.
“Politikanë të shumtë në të gjithë spektrin, përfshirë kryeministrin Edi Rama, akuzohen se kanë përdorur dezinformata për të rritur shikueshmërinë dhe qëndrimin e tyre, ose ndonjëherë madje pa ndonjë qëllim të veçantë fare. Në fakt, Rama u detyrua të kërkonte falje publike në mars 2020 për akuzat e sajuara sipas të cilave zyrtarët spanjollë po vendosnin taktika të dhunshme policore për të ndaluar përhapjen e tyre COVID-19”, thuhet në raport.
Më tej, raporti konstaton “luftën” e qeverisë dhe miqve të saj kundër gazetarëve investigativë dhe aktivistëve të shoqërisë civile.
Duke iu referuar të dhënave nga Facebook-u, raporti thekson se edhe mediat më të mëdha janë kanale të rëndësishme për shpërndarjen e dezinformimit: Top Channel, në pronësi të Vjollca Hoxhës dhe Ora Neës, në pronësi të Ylli Ndroqit, “një oligark i akuzuar për trafik droge”. Por lista përfshin gjithashtu media print dhe online me reputacion për gazetari me cilësi të lartë, të pavarur dhe hulumtuese, JOQ Albania dhe Gazeta TemA.



