
Pas protestës së sotme të banorëve të “Astirit” para Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Veliaj u është përgjigjur nga një mbledhje e Këshillit Bashkiak. Pasi nuk pranoi një takim me protestuesit, pavarësisht këmbënguljes së tyre, Veliaj tha se projekti do të vijojë të zbatohet dhe “nuk do të mbetemi në epokën e gurit”.
"Unë kam qenë në fushatë. Njerëzit thonë: Kur të zhbllokohet rrethrrotullimi te Shqiponja, atëherë do marrë frymë Tirana. E kemi gjetur Tiranën me 21 hotspote, ku bëhej dhe trafiku mullar. Sot ka ngelur vetëm 1, vetëm një. Po çfarë, do mbetemi në 'epokën e gurit'! Pse?! Sepse disa njerëz që kanë zaptuar aty nuk pranojnë kompensimin që po u japim? S'ka shans! Shanset janë zero që kjo betejë të ndalet. Do të fitojë civilizimi", tha ai.
Bashkia pritet të votojë vendimin që i dëmshpërblen banorët e prekur me 3 vite qira banese. “Si Bashki e Tiranës kemi ofruar 3 vite qera, për ata që nuk kanë asnjë letër, ta themi troç kanë zaptuar tokën e dikujt tjetër në gjurmët e Unazës. Dihej që në kohën e Adil Çarçanit që aty kalon rruga", tha ai.



