
Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën e sotme për media, deklaroi se do të kandidatojë më 22 mars për kreun e ri të Partisë Demokratike.
Berisha njoftoi se 6 marsi u bë shkak për rikthimin e tij.
Unë do të garoj për kreun e PD, por duke garantuar çdo personalitet që hyn në garë kushte të barabarta teknike, materiale dhe të gjithanshme dhe duke garantuar demokratët që do të pranojë rezultatet e tyre pa asnjë koment.
Rikthimi ka ndodhur më 6 mars, ai nuk zhbëhet më, përveçse me votën e qytetarëve shqiptarë. Ajo votë është rikthimi i Sali Berishës.”
Lidhur me faktin nëse “Shtëpia e Lirisë” do të jetë emri i partisë së re opozitare, Berisha tha se nuk do të ketë një parti të re.
Nuk do të ketë parti të re. Kjo është Partia Demokratike, opozita e vërtetë. Nuk mund të marrë peng pluralizmin politik një njeri që paraqet standarde më të veçanta të historisë politike të Shqipërisë.”
Berisha komentoi edhe dorëheqjen e Grida Dumës si nënkryetare e Partisë Demokratike, duke thënë se mirëpret atë dhe gjithë demokratët e tjerë që t’i bashkohen grupit të Komisionit të Rithemelimit.
Mirëpres dhe vlerësoj çdo deklaratë të deputetëve. Mirëpres bashkimin e tyre me grupin e Komisionit të Rithemelimit dhe i garantoj që ky bashkim ka në bazë vlerësimin e palëkundur të kontributeve të gjithësecilit në PD. Komisioni i Rithemelimit është i përkohshëm, i zgjedhur në një Kuvend. Në Kuvendin e ardhshëm, nuk do të ekzistojë.”



