
Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë reaguar pas mosmiratimit nga Kuvendi të ndryshimeve ligjore për pagat e magjistratëve brenda afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas tyre, vendimi nr. 15 i Gjykatës Kushtetuese është tashmë drejtpërdrejt i zbatueshëm.
Shoqatat theksojnë se, duke nisur nga 1 gushti 2026, pagat e magjistratëve duhet të llogariten sipas formulës që lidhet me pagën e funksionarit të administratës së lartë publike. Ata shtojnë se e njëjta formulë duhet të zbatohet edhe me efekt prapaveprues për periudhën 1 prill 2023- 31 korrik 2026.
Sipas deklaratës, mosveprimi i Kuvendit nuk ka krijuar boshllëk ligjor, pasi mekanizmi i zbatimit është përcaktuar nga vetë Gjykata Kushtetuese.
Shoqatat bëjnë të ditur se do të monitorojnë zbatimin e vendimit dhe do të vazhdojnë të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në këtë proces.
Ato u bëjnë thirrje institucioneve dhe zyrtarëve përgjegjës që të respektojnë detyrimet kushtetuese për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Shoqatat e magjistratëve mbeten të bashkuara në këtë qëndrim dhe do të monitorojnë me vëmendje çdo veprim të ndërmarrë për zbatimin e plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.



