Ilir Meta deklaroi nga Berati Partia e Lirisë do të ofrojë 20,000 euro grant për çdo të ri deri në 25 vjeç që fillon biznes social apo start-up, në kuadër të programit kundër shpopullimit. Gjithashtu Meta tha se do të ofrohen shtëpi për çiftet e reja sipas modelit hungarez.
"Pesë prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus janë rruga e vetme që ndalin shpopullimin, mbrojnë Familjen dhe shpëtojnë Kombin! Prioriteti i parë është Ndalimi i shpopullimit nëpërmjet mbështetjes së Familjes, të nënave, të fëmijëve dhe të çifteve të reja. Pagat për nënat në masën 70-100% të pagës për 2 vitet pas lindjes. Do të trefishohet bonusi i bebes. Për nënat me dy dhe më shumë fëmijë ulje taksash në pagë dhe të ardhura. Kredi për çiftet e reja, 20,000 mijë euro, ku interesat i paguan shteti.
Ofrimi i shtëpive për çiftet e reja sipas modelit hungarez, krijimi i fondit të banesave për çiftet e reja, blerje me kosto e banesave të pashitura; Kredi për blerje shtëpie me interes të subvencionuar dhe zbritje e kredisë me 3,000 euro për fëmijën e parë, 6,000 euro për fëmijën e dytë dhe 10,000 euro për fëmijën e tretë. Shpenzimet për ushqime bazë do të rimbursohen 5%. Shpenzimet për “shportën e bebes” do të rimbursohen 10%. Mbështetja falas me ushqimin dhe suplementet ushqimore të domosdoshme, për gratë shtatzëna të familjeve në gjendje varfërie e papunësie, gjatë shtatzënisë dhe deri në 1 vit pas lindjes së fëmijës.
Reduktim i vdekshmërisë foshnjore dhe nënave në lindje duke përmirësuar kujdesin për nënën dhe fëmijën. Garantimi nga shteti i punësimit të grave shtatzëna për të mundësuar të ardhurat e domosdoshme për përballimin e shtatzënisë së sigurt dhe të shëndetshme. Garantimi nga shteti falas i ushqimeve dhe suplementeve ushqimore deri në 1 vit për fëmijët e lindur në familjet në varfëri dhe të papuna. Garantimi nga shteti falas i veshjeve dhe aksesorëve pediatrikë, për një periudhë 1-vjeçare, për fëmijët e lindur në familjet në varfëri dhe të papuna.
Mbulimi i plotë falas i të gjitha barnave përfshirë edhe ato që nuk janë pjesë e Listës së Barnave të Rimbursueshme për nënat dhe fëmijët e porsalindur për një periudhë 1-vjeçare. Pagesa e Kujdestarëve gjatë shtatzënisë. Sigurim i detyrueshëm i jetës në çerdhe, kopshte, shkolla e ambiente rekreative për çdo fëmijë. Sistemi i kateringut në kopshte dhe shkolla. 20,000 euro grant për çdo të ri deri në 25 vjeç që fillon biznes social apo start-up”.



