
Një birrë e prodhuar nga murgjit e manastirit St Sixtus në Flander, Belgjikë, konsiderohet si më e mira në botë. Pesë mijë fuçi birrë të markës “Trappist Westvleteren” prodhohen çdo vit. Klientët duhet të shkojnë personalisht atje, pasi kanë lënë më përpara një takim, në mënyrë që të marrin jo më shumë se dy arka.
Megjithatë, dixhitalizimi ka mbërritur edhe në vende të mbyllura si manastiret. Në mënyrë që të parandalojnë shitjen e birrës së tyre me çmime më të larta nga shitës të dorës së dytë, abacia e tyre ka njoftuar se do të dixhitalizohet. Ata kanë tashmë faqen e tyre në internet, ku klientët mund të porositin dy arkat e tyre, ndërsa prioritet u jepet klientëve të rinj.
Pijedashësit ende duhet të shkojnë personalisht në dyqanin e murgjve për të marrë birrën që blejnë, por risia është se ata tani shmangin përdorimin e një linje telefonike që në kulmin e saj ka pasur edhe 85 000 telefonues në orë.
Murgu Manu van Hecke thotë se po marrin masa në mënyrë që të mos përsëriten raste si ai i pak kohëve më parë, kur shishet e tyre u gjetën në shitje në një supermarket holandez.
"Dyqani virtual u jep akses vetëm konsumatorëve, jo blerësve profesionistë. Ne duam t’u japim sa më shumë njerëzve mundësinë për të blerë “Trappist Westvleteren” me çmimin real. Kushdo që nuk u përmbahet rregullave të shitjeve dhe abuzon me sistemin, do t'i mohohet aksesi në dyqanin online", thotë ai.
Një arkë me 24 shishe kushton 45 €.
Sistemi i ri, i cili do të lançohet nga ora 10 deri në orën 11 të mëngjesit, u bën të mundur murgjve të identifikojnë produktin e tyre, nëse ai shfaqet në shitje diku tjetër.
Konsumatorët duhet të krijojnë një profil në faqe duke lënë datën e tyre të lindjes, adresën, numrin e telefonit celular, adresën e emailit dhe targën e makinës.
Vitin e kaluar, murgjit e St Sixtus, të cilët morën licencën e tyre të parë të birrës, të nënshkruar nga Mbreti Leopold I në vitin 1839, mbetën të zhgënjyer kur zbuluan se zinxhiri i supermarketeve “Jan Linders”, pa lejen apo dijeninë e tyre, kishte shitur tre lloje të birrës së tyre me çmime pesë herë më të larta.
Nga 6 000 hektolitra që prodhohen çdo vit, murgjit krijojnë tre lloje birre: një bjonde që ka 5.8% alkool dhe “Westvleteren” 8 dhe 12. Kjo e fundit është cilëuar si birra më e mirë në botë, pavarësisht se nivelit të lartë të alkoolit, prej 10.2% të volumit.



