Sali Berisha deklaroi se bandat ishin një faktor përcaktues në zgjedhjet e 14 majit, në favor të PS-së. Ai u shpreh ndonëse operacioni “Metamorfoza” u regjistrua më 15 janar, Pëllumb Gjoka nuk u prek pasi duhej për fushatë. “E vërteta është se bandat u përdorën si faktor përcaktues në një mori qytetesh, për të diktuar rezultatin që donte Edi Rama. Edi Rama, në bashkëpunim me drejtësinë dhe policinë, bëri gjithçka për mobilizimin e bandave. I nxori nga burgjet, i kërcënoi me mandatet e Interpolit që i kërkonte, bllokoi hetimet. Operacioni ‘Metamorfoza’ është i regjistruar më 15 janar, por Pëllumb Gjoka nuk duhej të prekej se duhej të vendoste Velipojën nën pushtim. Bajri doli nga burgu dhe të tjerët u mblodhën vetëm për të diktuar rezultatin në Shkodër. Ata të cilët besojnë apo mendojnë se Edi Rama fitoi zgjedhjet, në një mënyrë ose në një tjetër pranojnë, legjitimojnë rolin e krimit të organizuar në votën e shqiptarëve dhe fatin e tyre. Të gjitha këto janë të dokumentuar në raport”, tha Berisha.



