Përfaqësuesit e PD-së në Komisionin hetimor për sterilizimin kërkuan zgjatjen e afateve të komisionit, me qëllim thirrjen si dëshmitarë të Edi Ramës dhe Vilma Nushit.
Anëtarja e komisionit Ina Zhupa theksoi që paratë për buxhetin e ardhshëm i jep kryeministri.
“Patjetër që do ta pyesim Vilma Nushin sepse merr miliona euro nga taksat e shqiptarëve. Në mbrojtje të interesit publik, dy dëshmitarët kyç Vilma Nushi dhe Edi Rama nuk mund të mos bëhen pjesë e këtij komisioni. Më dilni dhe më thoni që këto para për buxhetin e ardhshëm i jep Beqaj, dhe jam dakord të mos e thërrasim Ramën, por këtë s’e thoni dot. Kështu që miratojmë dy dëshmitarët dhe vendosim datën kur do vijë z.Rama dhe znj.Nushi”.
Ndërkohë kryetarja e komisionit Albana Vokshi tha: “Jam dakord me propozimin e bërë. Ju lutem të kërkohet nga Konferenca e Kryetarëve zgjatja e afateve të komisionit. Të paraqiten dëshmitarët që kanë mbetur pa ezauruar. S’është vetëm Rama dhe Nushi. Vilma Nushi mirë që s’vjen vet, por s’e lë as administratorin të vijë”.



