
Komisioni për Legjislacion në Kosovë, ka miratuar sot Kodin e Sjelljes. Ky kod parasheh masa ndëshkuese për deputetët që ofendojnë, shajnë, nxisin dhunë, dhe shkelje tjera që ata mund të bëjnë gjatë mandatit të tyre.
Sipas saj, deputetët që shajnë, ofendojnë e nxisin dhunë të sanksionohen deri në 50 për qind të pagës apo 688 euro.
Deputetët që ofendojnë, shajnë e nxisin dhunë në seancë të Kuvendit do të mund të gjobiten deri në 344 euro.
Po ashtu parashihen masa sanksionuese si vërejtje me shkrim e nëse ka shkelje të rëndë të përsëritur shqiptohet vërejtja me shpallje publike në uebfaqen e Kuvendit dhe deklarim të shkeljes në seancën e ardhshme.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi ka bërë të ditur se deputetët do të përballen me masa ndëshkuese varësisht sjelljeve që bëjnë.
Kodi parasheh që deputetëve t’u përcaktohen parimet e përgjithshme të sjelljeve të tyre në hapësira brenda Kuvendit por edhe jashtë, sikurse që janë përcaktuar edhe shkeljet eventuale të Kodit të Sjelljes dhe masat ndëshkuese.
Kodi parasheh masa ndëshkuese për shkelje të lehta dhe masa ndëshkuese për sjellje të rënda. Për shkelje të rënda parashihet të përjashtohen nga tri seanca të Kuvendit, tri mbledhje të komisionit, dhe po ashtu mund të sanksionohet edhe me 50 përqind të pagës bazë.
Në Kuvendin i Kosovës shpesh-herë deputetët kanë përdorur gjuhë fyese ndaj njëri-tjetrit, e po ashtu për gjatë kësaj kohe nuk kanë munguar edhe rastet e përplasjeve fizike mes tyre.



