
Kryedemokrati Lulzim Basha mblodhi pasditen e sotme para seancës së Kuvendit Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike.
Në përfundim të mbledhjes, Basha është ndalur për gazetarët e pranishëm në selinë blu, ku u shpreh se interesi i shqiptarëve është parësor dhe PD sipas tij i shërben këtyre interesave.
Basha më tej, dha mesazhin e qartë se “demokratët mish për top nuk i përdor dot askush”.
Mbi interesat e gjithkujt është ai i shqiptarëve, PD do i shërbej këtyre interesave, demokratët mish për top nuk i përdor dot askush.
Ndërsa deputeti demokrat, Flamur Noka, tha në fund të mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD se i ka kërkuar kryedemokratit Lulzim Basha që të kuptojë se partia është në krizë të thellë.
Noka u shpreh se një gjë e tillë i është kërkuar Bashës nga ai, Tomor Alizoti, por edhe disa demokratë të tjerë. Ndërkohë, duke folur për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD, për të cilën ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se do të shpallë datën brenda javës, Noka tha prerë se askush nuk mund ta ndalojë atë.
Ajo që ndodh sot në mbledhje ishte tendenca për të vazhduar te diskutimet e rutinës, ndërkohë që PD është në krizë të thellë. Ju kërkua edhe nga unë, edhe nga Alizoti, që të kuptohet se kjo parti është në krizë të thellë dhe askush nuk mund të fshihet. Kërkohet zgjidhje, që është përtej karriges së kryetarit. Kjo gjë u kërkua nga unë, Alizoti dhe të tjerë. E rëndësishme më shumë se të gjitha është se Kuvendi Kombëtar i PD do të mblidhet, siç ju bë me dije edhe Bashës sot. Ai mblidhet për të kthyer ligjshmërinë, për të diskutuar statutin, për t’i dhënë frymëmarrje PD. Është Kuvendi i PD, as i Nokës, as i Bashës. Ai do të mblidhet dhe askush në këtë vend nuk ka forcë ta ndalojë.
Kujtojmë se ditën e sotme PD depozitoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për komisionin hetimor për çështjen “Becchetti”.



