Kanë kaluar dy javë që nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë, të parat pas shpalljes së pavarësisë, që u mbajtën brenda afateve të rregullta.
Përqindja e qytetarëve që morën pjesë në procesin zgjedhor më 9 shkurt ishte 42.56%, me gjithsej 838,763 votues që hodhën votën e tyre në kutitë e votimit në 38 komuna të Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se po vazhdon skanimi i listave të votuesve të nënshkruara në 2,533 vendvotime të rregullta të ditës së zgjedhjeve.
Sipas KQZ-së, numërimi i votave të diasporës, votave me kusht dhe atyre të personave me aftësi të kufizuara do të nisë vetëm pasi të përfundojë ky proces, që pritet të zgjat deri javën e ardhshme.
Po ashtu, 7,718 pako me fletëvotime nga diaspora ende nuk janë verifikuar dhe pritet të hapen javën e ardhshme. Deri tani, nga gjithsej 54,409 pako të vlerësuara, 51,140 janë aprovuar dhe 3,269 janë refuzuar.
Në të njëjtën kohë, ka nisur skanimi i listave të votuesve nga e gjithë Kosova, një proces kyç për të konfirmuar vlefshmërinë e votave me kusht.
Numërimi i këtyre votave do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë-Kosovë, por ende nuk është caktuar një datë e saktë për fillimin e këtij procesi.
Në total, janë 12,801 fletëvotime me kusht dhe 2,597 vota të personave me nevoja të veçanta që pritet të numërohen.
Për sa i përket procesit të numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit, ai përfundoi të premten, ndërsa në Qendrën e Numërimit të Rezultateve në Prishtinë procesi është ende i hapur.
Nga numërimi i këtyre votave, deri tani Lëvizja Vetëvendosje ka 40.90 % të votave, Partia Demokratike e Kosovës, 22.03 %, Lidhja Demokratike e Kosovës, 17,64 % dhe koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë kanë 7,46 % të votave.



