
67 anëtarë të grupeve të numërimit, të cilët dyshohen se i kanë shtuar apo hequr vota kandidatëve në zgjedhjet e 25 prillit, do të kallëzohen penalisht në prokurori.
Këtë e konfirmoi komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili tregoi dhe parregullsitë që janë konstatuar. Teksa zbuloi materialet që do ti vihen në dispozicion prokurorisë, Celibashi u ndal dhe tek rastet e votimit të shumëfishtë.
Në total janë 67 anëtarë të grupeve të numërimit, emrat e të cilëve do të referohen në organin e prokurorisë. Të gjitha shkeljet që i kemi vlerësuar si shkelje penale, kanë të bëjnë me diferenca në fletët e votimit, apo në rezultatin e votimit për kandidatin, jo për partinë.
Ne s’kemi në kushte as për të hetuar dhe verifikuar për këta anëtarë, që janë apo jo përgjegjës për këtë parregullsi. Do i takojë organit të prokurorisë për të parë që nesër janë të 4 anëtarët e grupit përgjegjës, apo vetëm njëri prej tyre. të 4 janë përgjegjës para ligjit. Janë 20 raste kur kemi parë votim të shumëfishtë. janë në 2 qendra votimi këto raste.
Referuar të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve për transferimin e votave të kandidatëve, Partia Demokratike kishte marrë më shumë vota të padrejta, e ndjekur nga Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate.



