
Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Silvio Gonzato, dënon aktet e dhunshme dhe kaosin e shkaktuar një ditë më parë nga deputetët opozitarë, të cilët në seancën e së hënës i vunë zjarrin karrigeve në hyrje të parlamentit.
Ai tha se është për të ardhur keq që për një çështje tjetër disa përfaqësues të opozitës përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në kuvend.
Është për të ardhur keq. Për çfarëdo ideje që kemi nuk është kjo mënyra për ta shprehur mendimin.
Në një demokraci funksionale si Shqipëria pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin.
Deputetët e Kuvendit duhet të kenë mundësinë të përmbushin rolin e tyre në siguri të plotë. Të ulen tensionet dhe të shmangen sulmet.
Dhuna nuk duhet të jetë zgjidhje. Duhet dialog!
Sigurisht që nuk do të ketë gjithmonë dakordësi, por normaliteti është i nevojshëm.
Deklarata e ambasadorit të BE, u bë duke marrë fjalën në Asamblenë Parlamentare të Nismës për Europën Qendrore, e mbajtur në sallën e seancave plenare, aty ku një ditë më parë mbizotëroi kaosi.



