Sociologu Ergys Mërtiri thotë se korrupsioni i qeverisë “Rama” e ka origjinën që në kohën kur ai ishte në opozitë dhe drejtonte bashkinë.
Në “Bilardo”, Mërtiri tha se mënyra si po drejtohet Tirana është vazhdimësia e asaj që nisi Rama si kryetar bashkie, që ndërkohë është rrënjosur në sistem.
Unë bëj një dallim, ndoshta është subjektive. Mua Rama më është dukur që ditën e parë po aq keq sa Berisha ditën e fundit. Rama ka qenë po kaq keq edhe kur ishte kryetar bashkie në opozitë. E ka nisur korrupsionin që në bashki. Të gjithë e mbajmë mend zotërinë 20%. Gjithë ato kulla që u ndërtuan u ndërtuan prej tij. Ky qytet nëse ka një arkitekt të kësaj katrahure është Edi Rama. E keqja është se e gjithë kjo është shndërruar në sistem. Edhe Erion Veliaj projektin e tij po vazhdon. Sistemi është çimentuar dhe ndërsa ndodh kjo, ai bëhet i parrëzueshëm. Edhe përsoset.
Rama bëri një gjë që nuk ka qenë deri në këtë nivel. Në kohën e Berishës ishte Lazarati dhe ka vazhduar dhe ky vend ka bërë sikur nuk e ka parë. Por Rama lazaratizoi gjithë Shqipërinë. Dhe kjo ka problem tjetër. Nuk është më thjesht mafia e betonit, por futet pastrimi i parave, krimi i organizuar në zgjedhje. Kjo po shndërrohet në një sistem të salduar.



