Në mbledhjen e sotme me 71 kryetaret e degëve të PD, Kryetari i PD, Lulzim Basha theksoi si detyrë kryesore që partia të dalë e bashkuar nga Kuvendi i 18 dhjetorit.
Në takim, ai nënvizoi faktin se pavarësisht situatës së tensionuar brenda selisë blu, Rama është kundërshtari i përbashkët, ndaj kjo përçarje brenda PD-së i shërben vetëm atij, që po bën gjithçka që PD të ndahet.
“Rama është kundërshtari ynë i përbashkët, pavarësisht çfarë mendojmë në këtë situatë që po kalojmë. Beteja me njëri tjetrin nuk na çon askund. I shërben vetëm Ramës dhe patericave të tij, që po bëjnë gjithçka që beteja mes nesh të çojë në një ndarje të partisë. Ju jeni dëshmitarë të kësaj”, ka thënë Basha në mbledhje.
Kryetari i PD, ngriti me kryetaret e degëve të PD shqetësimin për qëndrimet antistatutore të Sali Berishës, për të cilin tha se “nuk njeh asnjë institucion te PD, nuk njeh asnjë vendimmarrje.
“Kjo histori e përdorimit të demokratëve si mburojë e interesave personale të kujtdo, merr fund njëherë e përgjithmonë. Kryesia e Partisë Demokratike votoi për mbledhjen e Kuvendit legjitim. Sali Berisha thotë se prap nuk e njeh. Ku qëndron morali i statutit që me forcë ngre Sali Berisha? Çfarë po kërkon ai? Sali Berisha nuk e ka hallin te statuti Ai nuk njeh asnjë strukturë të Partisë, sepse qëllimi i tij është që partia të shndërrohet në një mburojë të tij përballë Shteteve të Bashkuara. “ tha Basha.
Basha e përforcoi argumentin se Berisha e kishte justifikim nisjen e foltores me qëndrimin se vendimi për të nuk ishte marre nga forumet.
“Pse nuk e përmend më Sali Berisha faktin me të cilin nisi foltoren, sepse nuk u votua në Kryesi? Sepse ky ishte një justifikim. Ja ku është vendimi i Kryesisë me 28 vota pro për mbledhjen e Kuvendit, dhe ai përsëri thotë s’e njoh. Është e qartë se sido që të merrej ai vendim, me çfarëdo votimi, Sali Berisha dëshmon se nuk do ta njihte. Sepse sot ai nuk njeh asnjë organ zyrtar te PD. “



