Deputeti socialist Lavdrim Krashi në një lidhje skype me MCN Live e ka konsideruar ngjarjen e ndodhur në Fushë Krujë si skandaloze, të tmerrshme dhe shokuese. Ai tha se kjo duhet investiguar deri në fund. Ndërsa lidhur me emërimin e Taulant Ballës në krye të Ministrisë së Brendshme, Krashi u shpreh se ai është politikani më me eksperiencë në PS duke e konsideruar dhe si të duhurin. Sipas tij, maturia që ka fituar Balla përgjatë këtyre viteve e bën atë të mendoj se do jetë një mundësi e mirë për ta kryer mirë detyrën. “Balla është një nga politikanët më me eksperiencë në Partinë Socialiste dhe ka qenë deputet i parlamentit nga 2005. Në PS ai ka një eksperiencë të madhe duke pasur parasysh se ka eksperiencë politike dhe përtej partisë socialiste dhe mendoj se është zgjedhje e duhur. Unë nuk merrem me spekulime, unë nuk mund të vlerësoj këto gjëra sepse nuk janë fakte dhe prandaj e lidha me eksperiencën e tij jo thjesht në PS, por me atë politike brenda partisë socialiste dhe në parlamentin. Maturia që ka fituar përgjatë këtyre viteve mendoj se do jetë një mundësi e mirë për ta kryer mirë detyrën. Pastaj kushdo që të jetë do marrë përgjegjësinë e tij dhe ajo që pres nga Balla fillimisht është kontrolli i territorit sepse fakti që ai bë ministër është për ngjarjen makabër të ndodhur në fushë krujë, detyrimisht duhet të rifokusojë punën në kontrollin e territorit”.



