Partia Demokratike të enjten e ka konsideruar kriminale dhe të papërgjegjshme aktin e Qeverisë për të lënë jashtë kufijve qytetarët shqiptarë.
Përmes një deklarate për mediat, Sekretari për Mardhëniet me Jashtë në PD, Arben Kashahu theksoi se këta shtetas duhet të riatdhesohen si një detyrim kushtetues i qeverisë shqiptare.
Kashahu tha se qindra qytetarë shqiptarë nuk po lejohen të futen në territorin shqiptar, megjithëse, sipas informacioneve të PD-së, nuk kanë asnjë pengesë as nga Greqia dhe as nga Mali i Zi.
“Mbyllja e kufijve ajrorë, detarë apo tokësorë, si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit, nuk mund të shërbejë si justifikim për braktisjen nga shteti të qytetarëve shqiptarë, që situata i gjeti të papërgatitur në një shtet të huaj. Ata nuk mund të lihen në rrugë, pa asnjë ndihmë dhe në kushte skandaloze”, tha ai.
Sipas tij, kjo që po ndodh tani me shqiptarët në kufirin grek dhe malazez, po ndodh edhe me shqiptarët e braktisur kudo në Europë; Itali, Gjermani, Francë, Spanjë dhe Angli.
Ai tha se është e paligjshme dhe absurde të mos lejosh qytetarët shqiptarë që të futen në atdheun e tyre, që të rikthehen në shtëpitë e tyre, që të shkojnë tek fëmijët apo prindërit e tyre.
“Nga shqetësimet e ardhura pranë Partisë Demokratike rezulton se shumica dërrmuese prej tyre janë prej më shumë se 24 orësh në të ftohtë, pa ngrënë dhe pa asnjë ndihmë nga shteti. Kjo është papërgjegjshmëri. Kjo është kriminale”, citohet nga fjala e tij.
Në emër të Partisë Demokratike, Kashahu thekson se braktisja e shqiptarëve jashtë kufijve të vendit si një dhunim flagrant të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve nga vetë qeveria e Republikës së Shqipërisë.
Sipas tij, ky akt bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe nuk justifikohet nga situata e krijuar.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme bëri me dije për të gjithë qytetarët shqiptarë të cilët nuk arritën të ishin pjesë e planit të riatdhesimit, se plani është mbyllur ditën e djeshme me fluturimin e bërë nga Roma.
Kujtojmë se disa ditë më parë, një grup shqiptarësh në Katar kërkuan ndihmë për tu kthyer në Atdhe. Përmes një mesazhi të dërguar për kryeministrin Edi Rama në rrjetet sociale, ata i kërkonin atij që t’i ndihmojë.
Shqiptarët i shkruan kryeministrit se puna është mbyllur dhe nuk kanë mundësi financiare për të jetuar. Sipas tyre, ata kanë kontaktuar edhe me ambasadën shqiptare, por ende nuk kanë marrë zgjidhje.
“Jemi 35 shqiptarë këtu në Katar dhe puna na është mbyllur. Nuk po na lejojnë për të ardhur në Shqipëri dhe jemi shumë keq me anën financiare”, citohet nga mesazhi i tyre.
Kryeministri Edi Rama ka theksuar se lista e shqiptarëve të mbetur jashtë vendit që do të kthehen në atdhe tashmë është e mbyllur.
Kreu i qeverisë tha se në atdhe është kthyer numër i kufizuar personash, i atyre që nuk kishin asnjë mundësi financiare për të qëndruar jashtë, apo i studentëve.
Të tjerët -theksoi Rama - do të presin mbarimin e luftës siç ai quan situatën me COVID-19, për t'u kthyer në atdhe./TVT.al/



