Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është takuar ditën e sotme me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg në selinë e aleancës.
Në fjalën e tij Begaj theksoi se zgjerimi i aleancës është një detyrim, duke shtuar se është i mirëpritur anëtarësimet e Suedisë dhe Finlandës.
Në këtë kohë sfidash për sigurinë Euro-Atlantike, është thelbësore implementimi i kuadrit strategjik të mbrojtjes dhe shkurajimit, si edhe përditësimi i planeve të mbrojtjes së Aleancës. Është veçanërisht e rëndësishme forcimi i tetë grupbatalioneve në krahun lindor të NATO-s. Situata aktuale e bën të domosdoshme që rendi i qetësisë dhe i paqes ndërkombëtare të jetë fokusi ynë. Për këtë arsye, zgjerimi i Aleancës është detyrim, ndaj, anëtarësimi i Suedisë dhe i Finlandës janë të mirëpritura dhe të domosdoshme. Unë jam i lumtur që Parlamenti i Shqipërisë është nga të parët që e ka ratifikuar protokollin e anëtarësimit në NATO të Suedisë dhe Finlandës. Në koordinim të plotë me Aleancën, Shqipëria i qëndron në krah dhe do të vazhdojë ta mbështetë Ukrainën në aspektin politik, diplomatik, ushtarak dhe të asistencës humanitare për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Në cilësinë e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në bashkëpunim me SHBA-në dhe BE-në, ne do vijojmë të jemi proaktiv në ruajtjen e kohezionit ndërkombëtar për Ukrainën”.
Begaj tha se qeveria shqiptare ka një plan ambicioz për forcimin e kapaciteteve digjitale dhe mbrojtëse kibernetike
Shqipëria vlerëson shqetësuese kërcënimin që vjen nga Irani. Në korrik dhe shtator të vitit të kaluar ne u përballëm me një sulm të rëndë kibernetik të ndërmarrë dhe të sponsorizuar nga struktura shtetërore të Republikës Islamike të Iranit. Shqipëria në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë dhe NATO-n, arriti ta ndërpresë dhe të rikuperohet nga ky sulm, si edhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Qeveria shqiptare ka një plan ambicioz për forcimin e kapaciteteve digjitale dhe mbrojtëse kibernetike. Bashkëpunimi me NATO-n në këtë drejtim vlerësohet maksimalisht. Si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE, Shqipëria përshëndet nënshkrimin e deklaratës së përbashkët të NATO-s me BE-në duke vlerësuar rolin e partneritetit strategjik të BE-së në mbrojtje të vlerave euro-atlantike. Shqipëria do të vijojë të përmbushë të gjitha detyrimet në kuadër të mbrojtjes kolektive. Angazhimi dhe kontributet e Shqipërisë në NATO do të vijojnë të rriten. Aktualisht jemi prezent në misionin KFOR, në Latvia dhe Bullgari, në kuadër të prezencës së përparuar”.



