
Kryeministri Edi Rama thotë se nuk e pranon mendimin se reforma në drejtësi ka dështuar, dhe se nëse do të kthehej mbrapsht, sërish do e zgjidhte bërjen e saj.
Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ai u shpreh se do e zgjidhte në të gjitha format reformën në drejtësi, me gjithë të mirat dhe të këqijat e saj.
Në diskutim me disa kolegë të grupit, mu tha copë se unë jam përgjegjës për reformën në drejtësi. Duhet të ketë plotë këtu që mendojnë njësoj si ata. Që i përmbledhin të gjitha me një fjalë që unë as e kam thënë dhe as nuk do e them ndonjëherë dështim.
Unë e kuptoj zhgënjimin jo real të shokëve. Por ta quash dështim nga pozitat e grupit projektues dhe miratues të saj, do të thotë të mos shohësh më larg ditës së sotme dhe të mos vlerësosh më shumë se sa komoditetin tënd.
Ndërkohë që unë kam qenë dhe mbetem kokëfortë në mbrojtjen e bindjeve të mia. Jam i interesuar të kuptoj kur kam gabuar, ku kam gabuar, se kam problem që të pranoj gabimet.
Jo vetëm që nuk gjej asnjë arsye strategjike për ta pranuar opinioni se reforma në drejtësi ka dështuar, 100 herë të kthehesha mbrapsht, 100 herë do zgjidhja reformën në drejtësi me gjithë të mirat dhe këqijat e ardhura prej saj.
Reforma në drejtësi është një investim strategjik i Partisë Socialiste të Shqipërisë.



