
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shtyjë sot seancën për Ligjin e gjuhëve për një datë të pacaktuar pas një debati rreth kësaj çështje.
Në këtë seancë, për të cilën do të vendoset se kur do të mbahet, pritet të marrin pjesë ekspertë të fushës dhe përfaqësues të partive politike, të cilët do të paraqesin argumentet e tyre lidhur me kontestimin e Ligjit për gjuhët.
Propozimi për shtyrjen e seancës u bë nga gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, Elizabeta Dukovska, e cila është përgjegjëse për këtë çështje. Kundër këtij vendimi ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila e theksoi se gjykata duhet të jetë ajo që jep fjalën përfundimtare.
Ligji për gjuhët parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2.
Seanca në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e Ligjit për gjuhët filloi me mungesën e dy gjykatësve shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, duke e bojkotuar procesin.
Nëpërmjet bojkotit, Kadriu dhe Ajdari synojnë të bllokojnë nisjen e procedurës për këtë ligj. Kjo lidhet me një konkluzion të miratuar nga Gjykata Kushtetuese gjatë viteve 2022 dhe 2023, që kërkon pjesëmarrjen unanime të të gjithë anëtarëve për procedurat që kanë të bëjnë me Ligjin për gjuhët, Marrëveshjen e Prespës dhe Ligjin për komunikime elektronike.
Të martën, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili vjen nga koalicioni shqiptar VLEN, siguroi gjatë një konference për shtyp, se Ligji për gjuhët “nuk do të preket”.
Më herët, gjatë javës së kaluar, Mexhiti kishte njoftuar se gjyqtarët shqiptarë në Gjykatën Kushtetuese do ta bojkotonin seancën e 11 dhjetorit, dhe me këtë, sipas tij, “vendimi nuk mund të kishte legjitimitet”.
Sipas një dokumenti të publikuar së fundmi, i përgatitur nga një gjyqtar kushtetues, thuhet se “Gjykata Kushtetuese nuk duhet të iniciojë procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve”.
Ligji për përdorimin e gjuhëve përbëhet nga 25 nene.
Ky ligj hyri në procedurë parlamentare më 5 shtator 2017.
Pas miratimit, ligji u kundërshtua nga 13 iniciativa të paraqitura nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme. Mes këtyre ishte edhe partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE, e cila në atë kohë ishte në opozitë dhe ishte angazhuar se do të bënte “korrigjime” pasi të kthehej në pushtet.
Disa besojnë se ndërkohë janë ndërtuar narrativë se shqiptarët kanë siguruar më shumë të drejta sesa u takojnë.
Partia shqiptare në opozitë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila po bëjnë “roje” para Gjykatës Kushtetuese, mendon të kundërtën.
BDI-ja ka shprehur shqetësim se nëse neni 23, paragrafi 5 i Ligjit për gjuhët abrogohet, atëherë i njëjti mund të bëhet i pazbatueshëm.
Deputeti Arbër Ademi nga BDI-ja të martën tha se “në rrezik janë 18 dispozita”.
Së fundmi, kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, ka thënë se nuk po kontestohet i gjithë ligji, por “vetëm dy-tri dispozita”, duke aluduar në gjyqësor, në bankënota dhe në uniforma.



