
Përfaqësuesi i Komisionit të Rithemelimit, Luçiano Boçi thotë se grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka miratuar asnjë dokument kriteresh apo procedurë për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Në një qëndrim pas deklaratave të Enkelejd Alibeaj, Boçi thotë se e folura dhe paraqitja e vendimeve personale në emër të grupit parlamentar të PD-së përpos që është qesharake, mbetet një hile bajate, për të marrë atribute të paqena dhe për të mbajtur gjallë një përçarje që dihet se kujt i shërben.
Grupi Parlamentar i PD nuk ka miratuar asnjë dokument kriteresh apo procedure për zgjedhjen e Presidentit, siç e paraqet z. Alibeaj.
Nuk ka pasur as vendim të Kryesisë grupit parlamentar, as mbledhje të grupit, as takim me kuorum për ta quajtur mbledhje grupi dhe as dakordësi në takimet pa kuorum.
Ky lloj keqpërdorimi i sinqeritetit dhe dëshirës së deputetëve të PD-së për të negociuar dhe propozuar Presidentin duhet të marrë fund. PD ka organet e saj vendimmarrëse dhe ka miratuar rezolutën për zgjedhjen e Presidentit në Këshillin Kombëtar.
Sipas tij, grupi parlamentar është i unifikuar në idenë që është opozita ajo që duhet të propozojë dhe se çdo përpjekje e Enkelejd Alibeajt për të paraqitur një opozitë false të emëruar nga Rama-Balla për të shpëtuar faqen e Ramës, nuk pranohet.
Ne do të vazhdojmë misionin e PD-së për të përafruar qëndrimet për procesin dhe emrin me të gjithë partitë opozitare në nivel politik e parlamentar.



