Sulmi ndaj anijes ruse në Libi/ Meçollari: Shqipëria u përdor për të fshehur vendin që e ndihmoi Ukrainën me dronë

Sulmi ndaj anijes ruse në Libi/ Meçollari: Shqipëria u përdor për të fshehur vendin që e ndihmoi Ukrainën me dronë

Ish-komandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, ka analizuar sulmin me dronë detarë të Ukrainës që fundosi një anije luftarake ruse në portin e Bengazit në Libi, si dhe arsyet se pse u lakua emri i Shqipërisë si vend i mundshëm i nisjes së sulmit, çka u mohua zyrtarisht nga Tirana.

 

I ftuar në studio në edicionin e lajmeve në MCN, Meçollari tha se përhapja e lajmit se dronët u lëshuan nga Shqipëria ishte një strategji për të fshehur shtetin që i dha mbështetje logjistike Ukrainës në një distancë mbi 2,400 kilometra larg.

 

Arsyeja e përfshirjes së Shqipërisë është për të fshehur jo faktin se kush e ka kryer sulmin, por kush e ka mbështetur Ukrainën për të kryer sulmin. E gjithë kjo situatë erdhi për shkak të një postimi mashtrues në Twitter, i cili kërkonte të implikonte Shqipërinë për të mos deklaruar se kush ka qenë ai shtet apo ajo fuqi që e ka ndihmuar Ukrainën. Natyrisht që Shqipëria është brenda rrezes së përdorimit të dronëve, është një shtet i vogël në krahasim me Italinë dhe Greqinë, dhe në këto tre shtete Shqipëria është pika më e dobët.

 

Duke shpjeguar aspektin e së drejtës ndërkombëtare, ish-komandanti i Forcës Detare sqaroi se goditja e anijes ruse në Bengazi ishte plotësisht e ligjshme për Ukrainën, por shteti që ka ndihmuar në këtë operacion shpallet automatikisht palë në konflikt.

 

Ukraina ka të drejtën e saj të godasë çdo anije ruse në ujërat ndërkombëtare apo në territorin e një shteti i cili ka humbur neutralitetin. Qeveria e Bengazit e ka humbur neutralitetin sepse ndihmohet nga Rusia; si e tillë, goditja e anijes ruse në portin e Bengazit nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Por shkelje do të përmendej në rast se do të deklarohej se cili ka qenë shteti që e ka ndihmuar Ukrainën. Një shtet i cili e ka ndihmuar për të kryer këtë veprim, automatikisht është në shkelje dhe është palë në konflikt.

 

Sa i përket pikëpyetjes se nga u nisën dhe ku u prodhuan shtatë dronët detarë që kryen sulmin, Artur Meçollari hodhi dyshime të forta se ato nuk mund të kishin ardhur nga Ukraina pa shkelur marrëveshjen për ngushticat turke, ndaj pista më e mundshme e mbështetjes mbetet qeveria perëndimore e Libisë në Tripoli.

 

Fakti që presidenti Zelensky përmend fjalën 'të prodhuar në Ukrainë', kjo të lë të dyshosh që dronët nuk janë prodhuar në Ukrainë. Sepse po të prodhoheshin në Ukrainë, duhet të shkelnin Konventën e Montrosë që lidhet me ngushticat turke kur kanë dalë nga Ukraina për në Detin Mesdhe. Kjo të lë të kuptosh që dronët janë prodhuar në një territor tjetër, dhe më e mundshmja në të gjithë këtë skemë është qeveria perëndimore e Libisë në Tripoli, e njohur nga OKB-ja, e cila i ka krijuar një bazë Ukrainës në territorin e saj, sikurse qeveria lindore i ka krijuar bazë Rusisë.

 

Në përfundim, eksperti sqaroi se lëshimi i këtyre mjeteve nuk kërkon infrastrukturë të posaçme, pasi ato drejtohen përmes satelitëve, ndaj misteri kryesor mbetet vendi i prodhimit të tyre.

 

Nuk ka nevojë të kesh infrastrukturë, sepse lëshimi i këtyre dronëve është shumë i thjeshtë. Droni është rreth 7 metra dhe është i kontrolluar gjatë gjithë kohës që lundron nëpërmjet linjave satelitore të Starlink-ut. Kështu që baza e lëshimit nuk përbën problemin më të madh. Problemi më i madh, në gjykimin tim, është ku janë prodhuar dronët në Libi, në një shtet tjetër, apo kanë kaluar ngushticat turke në shkelje të marrëveshjes së Montrosë?

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy