Avokati Rezart Kthupi, kushtëzimin me 5 vjet punë të detyruar të studentëve të Mjekësisë në Shqipëri, nuk e sheh si shkelje të drejtash. Ai deklaroi se studenti kryen një studim që në pjesën dërrmuese e paguan shteti, ose në të kundërt duhet të paguajë tarifën e plotë universitare dhe më pas është i lirë të shkojë ku të dojë. “Nëse pranon të marrësh një shërbim nën një kosto, ti këtë shërbim duhet ta kthesh mbrapsht. Është marrëdhënie kontraktuale me shtetin, ke pranuar të marrësh bursë nga shteti dhe në fund duhet t’i shërbesh. Është investim që shoqëria bën ndaj individit. Është vonë në kohë duhet të ishte bërë kohë më parë. Se problemi që ka qeveria është se gjen momentin e fundit, për ti zgjidhur në mënyrën e vetë alla shqiptare. Asnjë e drejtë nuk shkelet, është një marrëdhënie që shteti ia paraqet paraprakisht studentit. Nëse do të lëvizësh duhet të paguash tarifën e plotë. Shteti thotë se do ti ta paguaj unë shkollën, atëherë ti do e kthesh”. Duke folur për MCN Live, Kthupi shtoi se mund të kërkohen kushte më të mira dhe jo direkt të protestohet se ndalohet lëvizja.



